Ish-‘ylli’ i Liverpool, El Hadji Diouf, është dënuar me një vit burg me kusht pasi u shpall fajtor për mospagesën e rreth 14 mijë paundëve si mbështetje financiare për vajzën e tij.
Ish-sulmuesi senegalez, tashmë 45-vjeçar, u padit vitin e kaluar nga ish-bashkëshortja e tij, Valerie Bishop, e cila e akuzoi se kishte ndaluar pagesat që prej marsit të vitit 2024.
Pas divorcit të çiftit në vitin 2023, kujdestaria e vajzës së tyre 17-vjeçare, Keyla, iu dha Valerie. Gjykata kishte urdhëruar Dioufin të paguante rreth 670 paundë në muaj për mbështetjen e vajzës, si dhe të mbulonte shpenzimet shkollore dhe mjekësore.
Megjithatë, sipas avokatëve të Valerie Bishop, ish-futbollisti nuk i kishte respektuar detyrimet financiare, pavarësisht se kishte të ardhura të konsiderueshme nga reklamat, pronat dhe puna në Federatën e Futbollit të Senegalit.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar të martën, Diouf u dënua me një vit burg me kusht dhe u urdhërua të paguante 10 milionë franga të Afrikës Perëndimore, që përkthehen në rreth 13.220 paundë.
Sipas raportimeve, ish-futbollisti nuk ishte paraqitur në disa seanca gjyqësore dhe vendimi u dha në mungesë të tij.
Diouf u bë një figurë shumë e njohur në futboll pas transferimit te Liverpuli nga Lens në vitin 2002 për rreth 10 milionë paundë. Megjithatë, aventura e tij në Angli nuk rezultoi shumë e suksesshme, pasi realizoi vetëm tre gola në 55 ndeshje të Premier League.
Gjatë karrierës së tij ai luajti edhe për Bolton Wanderers, Sunderland, Blackburn Rovers, Rangers, Leeds United dhe klube të tjera, përpara se të tërhiqej nga futbolli në Malajzi në vitin 2015.
Në nivel kombëtar, Diouf mbetet një hero në Senegal falë paraqitjeve të jashtëzakonshme në Kupën e Botës 2002, ku kombëtarja afrikane arriti deri në çerekfinale dhe mposhti Francën në fazën e grupeve.
Karriera e tij, megjithatë, është shoqëruar shpesh edhe me polemika jashtë fushës, përfshirë gjoba dhe pezullime për sjellje antisportive.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: