Marrëdhënia mes Rafael Leãos dhe Milanit duket se ka hyrë në fazën më të tensionuar që prej mbërritjes së tij në vitin 2019. Sulmuesi portugez raportohet se është i zhgënjyer me reagimin e tifozëve kuqezi, pas vërshëllimave të marra në ndeshjet ndaj Udineses, Juventusit dhe Atalantës.
Sipas “Corriere dello Sport”, Leão u ka shprehur njerëzve të afërt zhgënjimin e tij për situatën aktuale, duke theksuar se atmosfera negative ka ndikuar ndjeshëm në gjendjen e tij psikologjike dhe sportive. Futbollisti, i cili dikur spikaste për buzëqeshjen dhe energjinë e tij, tani po përjeton një periudhë të vështirë në “San Siro”.
Edhe pse ka kontratë me Milanin deri në vitin 2028, sulmuesi portugez nuk konsiderohet më i paprekshëm nga klubi. Drejtuesit janë të gatshëm të dëgjojnë oferta në rangun 50–60 milionë euro, shumë më e ulët se klauzola e tij e lirimit prej 175 milionë eurosh.
Destinacioni i preferuar i Leãos mbetet Premier League, kampionat ku ai ende nuk ka luajtur. Klube si Chelsea dhe Manchester United përmenden si opsione të mundshme për të ardhmen e tij.
Sezoni aktual ka qenë i vështirë edhe për shkak të problemeve fizike. Një dëmtim në pulpë e la jashtë në fillim të sezonit, ndërsa një pubalgji ka kufizuar ndjeshëm shpërthimet e tij në krah. Për këtë arsye, ai është përdorur shpesh edhe si sulmues qendror për të ulur ngarkesën fizike.
Forma e tij ka pësuar rënie të dukshme, me vetëm 9 gola në kampionat dhe pa realizuar që prej fillimit të marsit. Ndeshja e fundit ndaj Cagliarit mund të jetë një mundësi për të mbyllur sezonin me një gol të rëndësishëm dhe për të ndihmuar Milanin në garën për Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, e ardhmja e tij pritet të vendoset gjatë merkatos së verës, ku një largim nga Milani duket gjithnjë e më i mundshëm pas shtatë sezonesh me ulje-ngritje në “San Siro”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: