Benfica i ofron rinovim Mourinho-s, por Reali mbetet kërcënimi kryesor

Benfica i ofron rinovim Mourinho-s, por Reali mbetet kërcënimi kryesor

17:19, 13/05/2026

E ardhmja e José Mourinho-s vazhdon të mbetet e paqartë. Sipas medieve portugeze, Benfica i ka paraqitur trajnerit një ofertë për rinovimin e kontratës, edhe pse largimi i tij drejt Real Madrid vazhdon të konsiderohet skenari më i mundshëm.

Mourinho ka edhe një vit kontratë me klubin portugez, por drejtuesit e Benficës i kanë propozuar zgjatjen e marrëveshjes që përpara ndeshjes ndaj Famalicão-s, sfidë që përfundoi në barazim 2-2. Situata sportive e ekipit u komplikua edhe më shumë pas një tjetër barazimi 2-2 ndaj Braga-s, rezultat që i kushtoi Benfica-s vendin e dytë në kampionat.

Megjithatë, pavarësisht ofertës për rinovim, interesimi i Real Madridit po fiton gjithnjë e më shumë terren. Raportohet se përfaqësuesit e Mourinhos kanë pasur kontakte konkrete në Madrid, ndërsa vetë trajneri po analizon së bashku me familjen hapin e ardhshëm në karrierë.

Në muajin mars, Mourinho kishte deklaruar publikisht se dëshironte të vazhdonte te Benfica dhe se do të firmoste menjëherë një kontratë të re nëse klubi do t’ia ofronte. Por rezultatet e fundit, kritikat e tifozëve dhe pasiguria brenda klubit duket se kanë ndryshuar situatën.

Pas barazimit me Braga-n, trajneri portugez shmangu një përgjigje të qartë për rinovimin.

“Dy javët e fundit të kampionatit nuk janë për të menduar për kontratën. Janë për të menduar për misionin që kishim, për të bërë mrekullinë dhe për të mbetur në vendin e dytë”, deklaroi Mourinho.

Sipas raportimeve, pas ndeshjes së fundit të sezonit ndaj Estoril, Mourinho dhe drejtuesit e Benfica-s do të kenë rreth dhjetë ditë kohë për të vendosur përfundimisht mbi të ardhmen. Në kontratë ekziston një klauzolë prishjeje prej tre milionë eurosh, e vlefshme për të dyja palët, një shumë që konsiderohet lehtësisht e përballueshme për një klub si Reali.

Ndërkohë, Benfica po përgatitet edhe për mundësinë e largimit të trajnerit. Emri që po përmendet më shumë si alternativë është ai i Marco Silva-s, aktualisht trajner i Fulhamit, i cili është në fund të kontratës me klubin anglez.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco