Michael Carrick pranë zgjedhjes trajner i përhershëm i Manchester Unitedit, drejtuesit i japin mbështetje të plotë

Michael Carrick pranë zgjedhjes trajner i përhershëm i Manchester Unitedit, drejtuesit i japin mbështetje të plotë

16:54, 13/05/2026

Manchester United duket se është shumë pranë vendimit për t’i besuar përfundimisht stolin trajnerit aktual, Michael Carrick. Sipas raportimeve në Angli, drejtuesit kryesorë të klubit do të rekomandojnë emërimin e ish-mesfushorit si trajner të përhershëm gjatë një mbledhjeje vendimtare që pritet të zhvillohet këtë javë.

Carrick mori drejtimin e përkohshëm të skuadrës në janar dhe rezultatet kanë qenë mbresëlënëse. Në 18 ndeshje të Premier League, ai ka regjistruar 12 fitore, katër barazime dhe vetëm dy humbje, duke rikthyer Unitedin në zonën e Ligës së Kampioneve. “Djajtë e Kuq” aktualisht mbajnë vendin e tretë dhe pritet ta mbyllin sezonin menjëherë pas Arsenalit dhe Manchester City-t në garën për titullin kampion.

Sipas “The Athletic”, drejtori ekzekutiv, Omar Berrada, dhe drejtori sportiv, Jason Wilcox, janë bindur nga puna e Carrick-ut dhe do të kërkojnë zyrtarisht konfirmimin e tij. Vendimi final pritet të merret nga bashkëpronari Jim Ratcliffe, i cili ka autoritetin kryesor për çështjet sportive të klubit.

Megjithatë, Manchester United ende nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar dhe negociatat për kontratën afatgjatë me Carrick pritet të nisin në javët e ardhshme.

Në listën e kandidatëve janë përmendur edhe trajneri i Aston Villa-s, Unai Emery, si dhe tekniku i Bournemouth-it, Andoni Iraola. Emery ka dërguar Aston Villa-n në finalen e Ligës së Evropës, ndërsa Bournemouth-i i Iraolës po lufton për një vend në garat evropiane.

Pavarësisht këtyre alternativave, brenda klubit ekziston bindja se Carrick do të vazhdojë në stol edhe sezonin e ardhshëm. Ish-mesfushori 44-vjeçar ka një histori të gjatë me Manchester United-in, ku si lojtar zhvilloi afro 500 ndeshje.

Një nga sukseset më të mëdha të tij konsiderohet rikthimi në formë i talentit Kobbie Mainoo. Mesfushori ishte lënë jashtë planeve nga trajneri i mëparshëm Ruben Amorim, por nën drejtimin e Carrick-ut është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe madje ka rifituar edhe vëmendjen e Kombëtares së Anglisë para Kupës së Botës.

Vetë Mainoo ka vlerësuar shumë ndikimin e trajnerit të përkohshëm. “Ai ka luajtur rol të madh. Besimi që u jep lojtarëve është i jashtëzakonshëm. Dëshiron të luftosh dhe të japësh gjithçka për të në fushë”, deklaroi mesfushori anglez.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco