Vazhdojnë polemikat në Itali për datën dhe orarin e derbit mes Lazios dhe Romës. Presidenti i Rajonit Lazios, Francesco Rocca, ka sulmuar sërish ashpër Lega Calcio-n, duke e cilësuar si një “katastrofë” organizimin e ndeshjes në të njëjtën ditë me finalen e turneut të tenisit “Internazionali d’Italia”.
Në një intervistë për Rai Radio 1, Rocca deklaroi se planifikimi i derbit në ditën e finales së turneut prestigjioz të tenisit është një gabim shumë i rëndë.
“La Lega Calcio ka bërë një katastrofë. Organizimi i derbit të Romës në ditën e finales së tenisit është një gabim serioz. Ne duhet t’u besojmë atyre që merren me sigurinë publike”, u shpreh ai.
Debati lidhet edhe me frikën për incidente të mundshme mes tifozëve, duke pasur parasysh precedentët e shumtë të viteve të kaluara. Megjithatë, Rocca shpreson që situata të mbetet nën kontroll.
“Më duket se tifozët e dyja skuadrave janë pjekur me kalimin e viteve dhe shpresoj të mos ketë incidente. Prefekti ka bërë vlerësimin më të mirë të mundshëm edhe komiteti kombëtar ka deklaruar se e hëna në mbrëmje është orari më i përshtatshëm. Për të ardhmen shpresoj që Lega të ketë më shumë aftësi organizative”, shtoi presidenti i Rajonit të Lazios.
Rocca komentoi edhe protestat e tifozëve të Lazios ndaj presidentit të klubit, Claudio Lotito.
“Çdo protestë është legjitime, edhe pse në disa ndeshje skuadra ka nevojë për tifozët e saj. Lotito ka një karakter të vështirë, por mendoj se është një president i mirë. Do t’i jepja notën 6+. Nëse shohim trofetë e fituar nga Lazio dhe Roma në vitet e fundit, nuk ka krahasim”, përfundoi Rocca.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: