Ancelotti mban ‘derën’ e Brazilit të hapur për Neymar: Vendimi për Botërorin do të jetë profesional

Ancelotti mban ‘derën’ e Brazilit të hapur për Neymar: Vendimi për Botërorin do të jetë profesional

15:51, 13/05/2026

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka folur për situatën e Neymar dhe mundësinë e përfshirjes së tij në listën finale për Kupën e Botës 2026.

Tekniku italian pranoi se çështja e Neymar është një nga dilemat më të mëdha për stafin teknik të Brazilit, por njëkohësisht dha sinjale pozitive për gjendjen e sulmuesit të Santos.

“Neymar është një lojtar shumë i rëndësishëm për këtë vend për shkak të talentit që ka treguar gjithmonë. Ai ka pasur probleme fizike, por po punon fort për t’u rikuperuar”, deklaroi Ancelotti në një intervistë për “Reuters”.

Trajneri theksoi se 34-vjeçari ka bërë progres të madh javët e fundit dhe po luan rregullisht me Santosin, duke rikthyer optimizmin te tifozët brazilianë.

“Ai është përmirësuar shumë së fundmi dhe po luan vazhdimisht. Për mua nuk është një vendim i lehtë. Duhet t’i peshojmë me kujdes avantazhet dhe disavantazhet”, u shpreh italiani.

Neymar është përfshirë në listën paraprake prej 55 lojtarësh, ndërsa lista përfundimtare me 26 futbollistë do të publikohet më 18 maj.

Sulmuesi nuk ka luajtur me kombëtaren që nga tetori i vitit 2023, kur pësoi një dëmtim të rëndë në ligamentet e gjurit në ndeshjen ndaj Uruguait.

Ancelotti foli edhe për ndikimin që Neymar vazhdon të ketë brenda grupit të kombëtares.

“E di shumë mirë që Neymar është shumë i dashur, jo vetëm nga tifozët, por edhe nga lojtarët. Atmosfera në grup është shumë e rëndësishme”, deklaroi ai.

Megjithatë, trajneri brazilian insistoi se vendimi final do të jetë tërësisht profesional dhe nuk do të ndikohet nga presionet e jashtme.

“Nuk jam nën presion nga askush për ta grumbulluar Neymar. Kam autonomi totale dhe vendimi do të bazohet vetëm në performancën e tij si futbollist”, përfundoi Ancelotti.

Gjatë vitit 2026, Neymar ka zhvilluar 13 ndeshje me Santosin, duke realizuar 6 gola dhe 3 asistime, ndërsa rikuperimi i tij fizik mbetet pika kryesore që do të vendosë fatin e tij për Botërorin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco