UEFA ka gjobitur Fenerbahçen me 10 milionë euro pas hetimeve për manipulime dhe parregullsi në operacionet financiare të klubit turk.
Departamenti i UEFA-s që mbikëqyr rregullat e qëndrueshmërisë financiare analizoi me kujdes kontratat dhe shpenzimet e klubit, duke zbuluar shkelje që lidhen me pagat, transferimet dhe pagesat ndaj agjentëve.
Në qendër të hetimeve ishin kontratat e José Mourinho, Kerem Aktürkoğlu, Milan Škriniar dhe Diego Carlos.
Sipas raportimeve, problemi më i madh lidhej me transferimin e Aktürkoğlut.
Futbollisti turk u transferua fillimisht te Benfica, ku paga e tij u rrit ndjeshëm, ndërsa më pas u ble nga Fenerbahçe për 22.5 milionë euro.
UEFA dyshoi për mënyrën se si klubi turk kishte deklaruar pagën e lojtarit.
Në dokumentet e paraqitura në Federatën Turke të Futbollit thuhej se Aktürkoğlu paguhej vetëm 1907 lira turke në muaj, një shumë simbolike prej rreth 35 eurosh, ndërkohë që paga reale thuhet se arrinte në 5.2 milionë euro neto në sezon.
Sipas hetimeve, diferenca ishte fshehur përmes kontratave të sponsorizimit dhe të drejtave të imazhit, të mbuluara nga biznesmeni turk Hakan Safi.
Ky i fundit kishte deklaruar publikisht se do të financonte marrëveshjen me lojtarin me një shumë totale prej 35 milionë eurosh gjatë katër viteve.
UEFA arriti në përfundimin se Fenerbahçe kishte tejkaluar limitet e shpenzimeve dhe kishte shkelur rregullat e “Fair Play Financiar”.
Për pasojë, klubi turk u ndëshkua me një gjobë të rëndë financiare.
Në Turqi, çështja ka shkaktuar reagime të shumta, sidomos pas deklaratave të ish-presidentit të klubit, Ali Koç, i cili më herët kishte paralajmëruar për rrezikun e manipulimeve në kontrata dhe shmangien e taksave.
Sipas vlerësimeve, e gjithë aventura e Fenerbahçes me Aktürkoğlun mund t’i kushtojë klubit mbi 60 milionë euro, duke përfshirë transferimin, pagat, gjobën e UEFA-s dhe humbjet financiare të lidhura me eliminimin nga Liga e Kampioneve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: