Arsenali duket i vendosur të bëjë një lëvizje të madhe në merkato, duke vënë në shënjestër talentin e Real Madridit, Arda Guler.
Sipas raportimeve, klubi londinez është gati të investojë deri në 90 milionë euro për të siguruar shërbimet e mesfushorit ofensiv turk.
Vetëm 21 vjeç, Guler konsiderohet si një nga talentët më premtues të futbollit europian dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha.
Tek Arsenali besojnë se profili i tij krijues mund t’i japë një dimension të ri repartit ofensiv të skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta.
“Topçinjtë” synojnë të përfitojnë nga situata e paqartë te Reali, ku flitet për një ristrukturim të mundshëm nën drejtimin e Jose Mourinho.
Kjo atmosferë pasigurie mund të krijojë hapësirën ideale që londinezët të tentojnë goditjen e madhe të verës.
Megjithëse lojtari ka kontratë me madrilenët deri në vitin 2029, drejtuesit e Arsenalit besojnë se oferta e tyre mund ta vendosë klubin spanjoll përballë një vendimi të vështirë.
Në Londër, Gulerit i premtohet një rol më i rëndësishëm dhe më shumë minuta në fushë.
Arteta e sheh turkun si një futbollist që mund të luajë si mesfushor sulmues ose në krahun e djathtë, duke u përshtatur përkrah yjeve si Martin Odegaard, Bukayo Saka dhe Eberechi Eze.
Sipas raportimeve të “TEAMtalk”, drejtuesit e Arsenalit janë optimistë se mund të përfitojnë nga konkurrenca e fortë brenda skuadrës së Realit për të bindur Gulerin të nisë një aventurë të re në Premier League.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: