Sulmuesi i Real Madridit dhe kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, ka folur hapur për raportin mes futbollistëve dhe opinionit publik në Francë, si edhe për rolin social e politik të sportistëve.
Në një intervistë për revistën amerikane ‘Vanity Fair’, Mbappé u ndal te kritikat që shpesh u bëhen lojtarëve francezë, duke e cilësuar këtë si një çështje kulturore.
“Është një çështje kulture. Francezëve u pëlqen të ankohen dhe të jenë të pakënaqur. Kemi qenë gjithmonë kështu. Francezët gjithmonë kanë gjykuar francezët e tjerë,” deklaroi ai.
‘Ylli’ francez pranoi se edhe vetë ai ndonjëherë bie në të njëjtin mentalitet:
“Ndoshta francezi është më i lumtur kur nuk është i lumtur. Ne kritikojmë gjithçka dhe këtë e them edhe për veten time.”
Megjithatë, Mbappé beson se gjeneratat e reja po përpiqen të ndryshojnë këtë mënyrë të menduari. Sipas tij, futbollistët që përfaqësojnë Francën kanë përgjegjësi të japin një imazh pozitiv të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Franca është një vend fantastik që frymëzon botën, por shpesh lojtarët e saj janë kritikuar dhe vënë në diskutim,” shtoi ai.
Mbappé foli edhe për përfshirjen e sportistëve në çështje politike dhe sociale, duke kujtuar reagimet e kombëtares franceze gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024.
“Ajo që po ndodhte na tronditi shumë. Ne jemi qytetarë dhe nuk mund të qëndrojmë duke bërë sikur gjithçka është në rregull. Duam të luftojmë idenë se një futbollist duhet të heshtë dhe vetëm të luajë.”
Në fund, sulmuesi i Real Madridit theksoi se futbollistët, pavarësisht famës, mbeten qytetarë si të gjithë të tjerët:
“Mund të jemi futbollistë dhe ‘yje’ ndërkombëtare, por para së gjithash jemi qytetarë. Nuk jemi të shkëputur nga bota dhe kemi të drejtë të shprehim mendimin tonë si kushdo tjetër.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: