Jose Mourinho është shumë pranë rikthimit te Real Madridi, në atë që pritet të jetë një nga lëvizjet më të bujshme të verës në futbollin europian.
Sipas raportimeve të gazetarit Sacha Tavolieri, marrëveshja mes trajnerit portugez dhe klubit madrilen është arritur, ndërsa zyrtarizimi mund të vijë gjatë javës së ardhshme.
Mourinho aktualisht është pjesë e Benficës, por kontrata e tij përfshin një klauzolë largimi prej tre milionë eurosh, çka pritet t’i hapë rrugën rikthimit në “Santiago Bernabeu”.
Drejtuesit madrilenë po kërkojnë një figurë të fortë për ta rikthyer skuadrën në majat e futbollit europian, pas një sezoni zhgënjyes pa trofe dhe me tensione të shumta brenda klubit.
Për Mourinhon, kjo do të ishte aventura e dytë në krye të Realit, pasi ai drejtoi madrilenët nga viti 2010 deri në 2013.
Gjatë asaj periudhe fitoi La Liga dhe “Copa del Rey”, duke ndërtuar një skuadër shumë konkurruese dhe duke lënë gjurmë të forta te tifozët.
Portugezi pritet të zëvendësojë Álvaro Arbeloa, i cili nuk arriti të sjellë trofe në drejtimin e skuadrës.
Rikthimi i “The Special One” shihet nga mediet spanjolle si tentativa e Realit për të rikthyer disiplinën, karakterin fitues dhe mentalitetin e madh në dhomat e zhveshjes.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: