Pas dy shkarkimeve brenda pak muajsh, Chelsea po vazhdon kërkimet për trajnerin e ri dhe në Angli raportojnë se klubi londinez ka nisur kontaktet e para me Xabi Alonson. Sipas “The Athletic”, drejtuesit e “Bluve” po e konsiderojnë seriozisht ish-trajnerin e Real Madridit si kandidatin kryesor për pankinën e skuadrës sezonin e ardhshëm.
Burimet pranë klubit bëjnë të ditur se Alonso nuk e ka mbyllur derën për një aventurë në Londër, megjithëse ende nuk ka një vendim përfundimtar. Strategu spanjoll mbetet pa skuadër që prej 12 janarit, kur u largua nga drejtimi i Realit pas vetëm shtatë muajsh në pankinë. Në vend të tij, madrilenët promovuan Alvaro Arbeloan.
Megjithatë, emri i Alonso nuk është i vetmi në listën e Chelsea-t. Klubi anglez vlerëson shumë edhe punën e Andoni Iraola-s te Bournemouthi, me teknikun bask që konsiderohet një nga kandidatët më të fortë për postin. Në garë mbetet edhe Marco Silva, aktualisht trajner i Fulhamit, edhe pse ai shihet më prapa në preferencat e drejtuesve londinezë.
Alonso kishte bërë histori më herët me Bayer Leverkusen, duke i dhuruar klubit titullin e parë në Bundesliga gjatë sezonit 2023/24. Pikërisht kjo arritje vazhdon ta mbajë shumë lart reputacionin e tij në tregun e trajnerëve.
Nga ana tjetër, Chelsea mbetet në një periudhë tranzicioni. Pas largimit të Enzo Maresca në janar dhe më pas shkarkimit të Liam Rosenior në prill, skuadra aktualisht drejtohet përkohësisht nga Calum McFarlane deri në fund të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: