Kriza te Milani po bëhet gjithnjë e më e thellë dhe humbja ndaj Atalantës ka sjellë masa drastike në klubin kuqezi. Drejtuesit dhe trajneri Massimiliano Allegri kanë vendosur që skuadra të futet në grumbullim të mbyllur në Milanello duke nisur nga dita e mërkurë.
Vendimi është marrë në prag të sfidës shumë të rëndësishme ndaj Genoas, takim që konsiderohet vendimtar për garën drejt një vendi në UEFA Champions League.
Sipas mediave italiane, atmosfera në kampin kuqezi është shumë e tensionuar pas rezultateve negative të javëve të fundit. Milani rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Champions-it dhe klubi ka vendosur të ndërhyjë me një masë që nuk ndodh shpesh në historinë e skuadrës.
Herën e fundit që Milani kishte hyrë në një grumbullim të tillë në një moment krize ishte në vitin 2019, kur skuadra drejtohej nga Gennaro Gattuso.
Programi i javës parashikon që futbollistët të rikthehen nesër në Milanello për stërvitjen e parë në funksion të ndeshjes me Genoan, ndërsa nga e mërkura skuadra do të qëndrojë e izoluar deri në fundjavë.
Sfida ndaj Genoas ende nuk ka një orar përfundimtar, pasi Liga italiane po pret të përcaktojë njëkohësinë e ndeshjeve të skuadrave që luftojnë për zonën Champions. Takimi mund të luhet të dielën në orën 12:30 ose të hënën në mbrëmje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: