Si do të dukej Premier League pa VAR-in? Manchester City do të kishte fatin e titullit në duart e veta

Si do të dukej Premier League pa VAR-in? Manchester City do të kishte fatin e titullit në duart e veta

16:59, 11/05/2026

VAR-i vazhdon të mbetet një nga temat më të debatueshme në futbollin anglez dhe një analizë e fundit ka ndezur sërish diskutimet. Sipas të dhënave të publikuara nga ekspertët e “AceOdds”, renditja e Premier League-s do të ishte ndryshe pa ndërhyrjet e teknologjisë VAR dhe gara për titull do të kishte marrë një kthesë krejt tjetër.

Aktualisht, Arsenali i Mikel Arteta-s mban kreun e tabelës, por sipas këtij simulimi londinezët do të kishin vetëm një pikë më shumë se Manchester City dhe jo pesë, si në renditjen reale. Duke pasur edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, skuadra e Pep Guardiola do ta kishte titullin plotësisht në dorën e vet.

Një nga episodet më të diskutuara ndodhi në sfidën mes Arsenalit dhe West Ham-it, kur arbitri Chris Kavanagh anuloi golin e barazimit të West Hamit pas ndërhyrjes së VAR-it. Ndërhyrja u konsiderua vendimtare për mbajtjen e Arsenalit në krye të garës.

Në këtë renditje alternative, Manchester United do të mbetej në vendin e tretë me 65 pikë, por surpriza më e madhe do të ishte Brightoni. “Pulëbardhat” do të ngjiteshin tri vende më lart dhe do të fitonin shtatë pikë më shumë pa VAR-in, duke hyrë fuqishëm në zonën Champions.

Edhe Bournemouthi do të përfitonte ndjeshëm, duke u ngjitur një vend më lart me pesë pikë shtesë. Në anën tjetër, Liverpool do të ishte një nga skuadrat më të dëmtuara, pasi nga vendi i katërt do të zbriste në të shtatin pa ndihmën e VAR-it.

Rritje në renditje do të kishin edhe Evertoni dhe Fulhami, që do të fitonin nga dy vende secila. Interesant është fakti se Evertoni nuk ka përfituar asnjë vendim të kthyer në favor nga VAR gjatë gjithë sezonit.

Ndërkohë, Chelsea do të ishte skuadra që do të humbiste më shumë terren. Blutë londinezë kanë përfituar plot nëntë vendime në favor nga VAR-i këtë sezon, më shumë se çdo skuadër tjetër në kampionat, dhe pa teknologjinë do të zbrisnin në vendin e dhjetë.

Kjo analizë ka rikthyer debatin e madh në Angli: a e bën VAR futbollin më të drejtë, apo po ndryshon rrjedhën natyrale të lojës?

Renditja pa ndërhyrjet e VAR-it

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco