UEFA ka vendosur që finalja e këtij edicioni të Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Arsenali t’i besohet arbitrit gjerman, Daniel Siebert. Ndeshja do të zhvillohet më 30 maj, në “Puskás Aréna” të Budapestit, duke nisur nga ora 18:00.
40-vjeçari, arbitër ndërkombëtar që prej vitit 2015, do të drejtojë për herë të parë një finale të një kompeticioni europian për klube nën organizimin e UEFA-s. Gjatë këtij sezoni ai ka gjykuar nëntë sfida të Champions League, mes tyre çerekfinalen e parë mes Sportingu-t dhe Arsenalit, si edhe gjysmëfinalen e kthimit mes Arsenalit dhe Atletico Madridit.
Siebert ka qenë gjithashtu arbitër në gjysmëfinalen e Europa League 2025 mes Manchester United dhe Athletic Club. Ai ka marrë pjesë edhe në dy ndeshje të Euro 2024, si dhe në tri takime të Euro 2020.
UEFA publikoi edhe ekipin e plotë të arbitrimit për finalen e madhe të Budapestit. Asistentë të Siebert do të jenë bashkëkombësit Jan Seidel dhe Rafael Foltyn. Arbitër i katërt është zvicerani Sandro Schärer, ndërsa asistente rezervë do të jetë spanjollja Guadalupe Porras Ayuso.
Në dhomën VAR do të jenë gjermanët Bastian Dankert dhe Robert Schröder, ndërsa mbështetja shtesë VAR do të ofrohet nga spanjolli Carlos Del Cerro Grande.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: