Guti mbështet Mourinhon: Mund të ketë sukses te Reali

Guti mbështet Mourinhon: Mund të ketë sukses te Reali

18:51, 10/05/2026

Legjenda e Real Madridit, Guti, ka folur për situatën aktuale te skuadra madrilene dhe nuk i ka kursyer elozhet për Jose Mourinho-n, emri i të cilit vazhdon të lidhet me një rikthim të mundshëm në “Santiago Bernabeu”.

Në një intervistë për ‘Radio Marca’, ish-mesfushori i Realit u shpreh se tekniku portugez mbetet një trajner i nivelit të lartë dhe mund të rikthejë suksesin te madrilenët.

“Mourinho është një trajner i madh dhe mund të ketë sukses te Reali”, deklaroi Guti.

Megjithatë, ai theksoi se problemet e klubit nuk lidhen vetëm me trajnerin, duke kujtuar se skuadra po kalon një periudhë të vështirë.

“Kanë kaluar dy vite pa fituar asgjë, ndaj besoj se ekzistojnë probleme më të mëdha brenda klubit”, shtoi ish-futbollisti spanjoll.

Guti analizoi edhe sezonin zhgënjyes të madrilenëve, duke mbrojtur ‘yjet’ e skuadrës si Vinicius Junior, Jude Bellingham dhe Kylian Mbappe.

“Problemi i Realit nuk është Viniciusi, nuk është Bellinghami dhe as Mbappe. Problemi është skuadra në tërësi. Kur ke një grup të fortë, lufton për gjithçka, por kur nuk e ke, bëhet shumë më e vështirë të fitosh tituj si La Liga”, u shpreh ai.

Ish-mesfushori madrilen mbrojti edhe Mbappe-në pas kritikave që francezi mori për ditët e pushimit para “El Clasicos”.

“Për sa kohë lojtarët japin maksimumin në fushë, nuk më intereson çfarë bëjnë jashtë saj. Në jetën personale secili është i lirë të bëjë çfarë të dëshirojë”, deklaroi Guti.

Në fund, ai kërkoi që Reali të investojë më shumë tek akademia dhe te lojtarët e rinj të dalë nga Valdebebasi, duke vlerësuar punën e Alvaro Arbeloa-s me ekipet e moshave.

“Sipas meje, duhet të jetë politikë e klubit që të besojë më shumë tek akademia”, përfundoi legjenda madrilene.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco