Panik në stadiumin kombëtar të Suedisë, zjarr rrezikon jetën e mijëra tifozëve gjatë derbit AIK-Djurgardens

Panik në stadiumin kombëtar të Suedisë, zjarr rrezikon jetën e mijëra tifozëve gjatë derbit AIK-Djurgardens

17:34, 10/05/2026

Momente paniku janë regjistruar në stadiumin kombëtar të Suedisë, ‘Strawberry Arena’, ku një zjarr shpërtheu gjatë derbit mes AIK dhe Djurgardens.

Ndeshja e kampionatit suedez u ndërpre pas 25 minutash lojë, kur flakët u shfaqën në tribunën e mbushur me tifozë. Gjyqtari ndaloi menjëherë takimin, ndërsa lojtarët u larguan nga fusha për arsye sigurie, edhe pse nuk u kthyen në dhomat e zhveshjes.

Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga flakadanët e ndezur në stadium. Kamerat televizive fokusuan menjëherë skenat dramatike, teksa tifozët largoheshin nga zona e rrezikut dhe tymi i madh përhapej në të gjithë stadiumin.

Forcat zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe përdorën zorrë uji për të vënë flakët nën kontroll, ndërsa personeli i sigurisë mbajti larg tifozët nga tribuna e përfshirë nga zjarri.

Shefi i sigurisë së AIK-ut, Henrik Koch, konfirmoi se situata u neutralizua pa persona të lënduar.

“Nuk pati të lënduar dhe zjarri u shua”, deklaroi ai.

Pas disa minutash ndërprerjeje, ndeshja rifilloi dhe Djurgardens realizoi edhe golin e tretë në shtesën e pjesës së parë. Megjithatë, kaosi vazhdoi edhe në fillimin e pjesës së dytë, kur tifozët vendas ndezën sërish flakadanë, duke sjellë një tjetër ndërprerje të takimit.

Lojtarët u larguan përsëri nga fusha për një mbledhje emergjente me organizatorët dhe policinë. Delegati i ndeshjes, Hans Larsson, bëri të ditur se autoritetet dhanë dritën jeshile për vazhdimin e sfidës pasi situata u vu nën kontroll.

Në fund, derbi përfundoi me fitoren 4-2 të Djurgardens, ndërsa sezoni i vështirë i AIK-ut vazhdon.

Stadiumi “Strawberry Arena”, i njohur më parë si “Friends Arena”, është shtëpia e kombëtares suedeze që prej inaugurimit të tij. Pikërisht aty, në vitin 2012, Zlatan Ibrahimovic realizoi katër gola ndaj Anglisë, përfshirë edhe goditjen spektakolare me roveshatë që bëri xhiron e botës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco