Como ka shkruar një faqe historike në Serinë A, teksa triumfoi 1-0 ndaj Verona në “Bentegodi” dhe siguroi matematikisht një vend në kupat europiane për sezonin e ardhshëm.
Heroi i skuadrës së drejtuar nga Cesc Fabregas ishte Anastasios Douvikas, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 71-të me një goditje të fuqishme me të djathtën, duke mposhtur portierin Montipò.
Pjesa e parë ishte më e mirë për Veronën, që krijoi rastet më të rrezikshme. Suslov detyroi Butez të bënte një pritje të madhe që në minutat e para, ndërsa Bowie shpërdoroi një mundësi të artë në mesin e pjesës së parë. Nga ana tjetër, Como hasi vështirësi në ndërtimin e lojës, me Nico Paz dhe Diao që mbetën në hije. Lojtari më aktiv për miqtë ishte Rodriguez, i cili në fundin e pjesës së parë shërbeu për Douvikasin, por sulmuesi grek nuk arriti të shënonte.
Në fillimin e pjesës së dytë, Fabregas ndryshoi fytyrën e skuadrës me tri zëvendësime të menjëhershme dhe Como u bë shumë më agresive. Diao rrezikoi me kokë, ndërsa Da Cunha dhe Baturina krijuan aksione të rrezikshme para portës së Veronës.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 71-të, kur Douvikas fitoi duelin me Edmundsson dhe realizoi golin që ndezi festën e madhe të skuadrës mike. Verona provoi të reagonte me Suslov dhe Bowie, por pa sukses.
Kështu, dy vite pas rikthimit në Serie A pas 21 vitesh mungesë, Como arrin një tjetër sukses historik duke siguruar pjesëmarrjen në Europë. Tani mbetet të shihet se në cilin kompeticion europian do të luajë skuadra e Fabregasit sezonin e ardhshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: