Aurelien Tchouameni ka reaguar pas incidentit që kishte me bashkëlojtarin, Federico Valverde.
Futbollisti francez ka kërkuar falje publike, duke thënë se kjo nuk ishte e denjë për një klub si Real Madridi, pasi ata duhet të jenë shembull për të rinjtë.
Tchouameni ndër të tjera thotë se nuk duhet të besojnë tek ato çfarë lexojnë në media, pasi sipas tij ka histori të shpikura të cilat krijohen për të bërë bujë.
“Ajo që ndodhi këtë javë në stërvitje është e papranueshme. E them këtë duke menduar për shembullin që ne duhet t’u japim të rinjve, qoftë në futboll apo në shkollë. Pavarësisht kush ka të drejtë apo jo, gjithmonë duhet të kërkojmë zgjidhjen më të qetë për të zgjidhur një konflikt.
Mbi të gjitha, më vjen keq për imazhin që i dhamë klubit. E di që tifozët, stafi, shokët e ekipit, drejtuesit, të gjithë janë thellësisht të zhgënjyer me mënyrën si ka rrjedhur ky sezon. Por frustrimi nuk mund të justifikojë gjithçka. Këto incidente, edhe pse mund të ndodhin në çdo dhomë zhveshjeje, nuk janë të denja për Real Madridin. Sidomos sepse Real Madridi është klubi më i përfolur në botë.
Interneti pëlqen të shpikë historitë më të çmendura për të krijuar bujë, ndaj mos besoni gjithçka që thuhet apo narrativat e rreme.
Gjithsesi, tani nuk është më koha për të kuptuar kush bëri çfarë, kush tha çfarë apo kush kishte të drejtë apo jo. E pranoj dënimin e klubit dhe e respektoj atë. Ne mbetemi një familje, me mosmarrëveshje ndonjëherë, por gjithmonë duhet t’i vendosim objektivat tona mbi gjithçka tjetër.
I kam kërkuar falje grupit dhe dua gjithashtu t’u kërkoj falje të gjithë madridilenëve.
Tani është koha të ecim përpara dhe i gjithë fokusi ynë është te ‘El Clásico’ dhe pjesa e mbetur e sezonit, për ta rikthyer klubin aty ku e ka vendin — në majë”, thuhet në reagimin e Tchouamenit.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme gazetat spanjolle kanë raportuar për një përleshje mes Aurilien Tchouamenit dhe Federico Valverdes, ku ky i fundit kishte përfunduar në spital.
Real Madridi kishte konfirmuar incidentin mes tyre dhe sot ka njoftuar se është marrë vendim për t’i dënuar të dy futbollistët me nga 500 mijë euro gjobë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: