Një ofertë krejtësisht e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e tifozëve të futbollit në mbarë botën.
Sipas raportimeve të “L'Équipe”, rrjeti amerikan “Fox Sports” po kërkon një person që të shikojë të gjitha 104 ndeshjet e Botërorit nga një kabinë gjigante prej xhami në zemër të “Times Square”.
Pozicioni është publikuar në platformën Indeed me titullin interesant “Chief World Cup Watcher” (Shefi i Shikimit të Kupës së Botës), ndërsa kompania e konsideron si një “punë ëndrrash” për çdo apasionant të futbollit.
Personi i përzgjedhur do të nisë punën më 6 qershor dhe do të paguhet plot 50 mijë dollarë, ose rreth 42,500 euro.
Përveç shikimit të ndeshjeve, ai do të duhet të filmojë reagimet e veta dhe të krijojë përmbajtje për rrjetet sociale të transmetuesit amerikan.
Kabina prej xhami do të vendoset në një nga zonat më të frekuentuara në botë, ku mijëra njerëz do të mund ta shohin nga afër “punonjësin” special gjatë gjithë turneut.
Madje, sipas raportimeve, aty pritet të ndalen edhe personazhe të famshëm dhe legjenda të sportit për të ndjekur sfidat e Botërorit.
Kujtojmë se “Fox Sports” mban të drejtat televizive të Kupës së Botës 2026 në SHBA, turne që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe do të organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: