Paris Saint-Germain ka siguruar një vend në finalen e UEFA Champions League, ku do të përballet me Arsenalin në Budapest për të mbrojtur titullin e fituar sezonin e kaluar. Megjithatë, në Francë vëmendja nuk po përqendrohet vetëm te suksesi sportiv, por edhe te një veprim i veçantë i trajnerit Luis Enrique.
Pas ndeshjes vendimtare të gjysmëfinales ndaj Bayernit në ‘Allianz Arena’, skuadra u kthye në Paris dhe, pavarësisht një dite pushimi, lojtarët u ftuan nga trajneri për një darkë ekipore në një restorant të kryeqytetit francez. Ideja ishte të festohej kalimi në finale, por edhe ditëlindja e 56-të e trajnerit spanjoll.
Megjithatë, ndodhi diçka e papritur që i befasoi të gjithë. Të gjithë lojtarët e PSG-së u paraqitën në darkë dhe pritën trajnerin, por Luis Enrique nuk u shfaq fare.
Sipas mediave franceze, ky veprim ka qenë i qëllimshëm nga ana e trajnerit. Ai ka dashur që futbollistët të ndiheshin plotësisht të lirë dhe të relaksuar, pa presionin e pranisë së tij, duke i lejuar të shijonin momentin dhe festën e arritjes së madhe pa ndjenjën se po vëzhgoheshin.
Ky gjest i pazakontë ka ngjallur diskutime në Francë, duke u interpretuar si një tjetër shembull i stilit të veçantë të menaxhimit të Luis Enrique-s, i cili shpesh vendos psikologjinë e grupit dhe mirëqenien e lojtarëve përpara protokolleve tradicionale të futbollit modern.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: