Një pamje tronditëse ka ardhur nga ndeshja gjysmëfinale e UEFA Europa League, ku Nottingham Forest u përball me Aston Villa-n në ‘Villa Park’. Mesfushori anglez, Morgan Gibbs-White, u pa në stol me një dëmtim të rëndë në fytyrë, duke shkaktuar shqetësim te tifozët dhe mediet.
26-vjeçari kishte pësuar një përplasje të fortë në ndeshjen e mëparshme ndaj portierit të Chelsea-t, Robert Sánchez, duke marrë një çarje të madhe në ballë dhe dëmtime serioze në zonën e syrit. Pamjet e tij në stol, me dy sy të nxirë dhe një shenjë të thellë të qepur nga hunda deri te syri i majtë, bënë xhiron e rrjeteve sociale.
Pavarësisht gjendjes, Gibbs-White u konsiderua i aftë për të qenë pjesë e skuadrës në bankinë për ndeshjen vendimtare. Ai u pa fillimisht gjatë nxehjes duke mbajtur maskë mbrojtëse, por më pas e hoqi atë gjatë qëndrimit në stol, duke treguar shenjat e forta të dëmtimit.
Në rrjetet sociale, shumë tifozë shprehën keqardhje për gjendjen e mesfushorit të Anglisë, duke e vlerësuar për guximin që të qëndronte pranë skuadrës në një ndeshje kaq të rëndësishme.

Megjithatë, prania e tij nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e ndeshjes. Aston Villa dominoi plotësisht dhe fitoi 4-0, duke siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 4-1 në finale, ku do të përballet me Freiburgun, më 20 maj.
Për Nottingham Forest, kjo humbje shënoi fundin e ëndrrës europiane, ndërsa skuadra do të fokusohet tashmë te lufta për mbijetesë në Premier League, me ndeshje të rëndësishme ndaj ekipeve si Newcastle, Manchester United dhe Bournemouth.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: