Momenti te Milani është bërë kritik dhe Masimiliano Alegri ka vendosur të marrë situatën në dorë.
Trajneri kuqezi zhvilloi një fjalim motivues në Milanelo, duke u kërkuar lojtarëve të mos humbin besimin dhe të luftojnë deri në fund për sigurimin e një vendi në Champions League.
Në një periudhë të vështirë për skuadrën, lajmi pozitiv është rikthimi i Luka Modriç në qendrën stërvitore.
Mesfushori kroat nisi një program të personalizuar rikuperimi pas frakturës në mollëz, të pësuar në përplasjen me Manuel Locatellin.
Modriç synon të rikthehet për sfidën e fundit të sezonit ndaj Cagliarit në “San Siro”.
Ndërkohë, Alegri po mendon ndryshime të rëndësishme për ndeshjen ndaj Atalantës.
Në mbrojtje pritet rikthimi i Koni De Winter në vend të të pezulluarit Fikayo Tomori, ndërsa në sulm Santiago Gimenez mund ta nisë si titullar.
Vëmendja më e madhe mbetet te Adrien Rabiot, i konsideruar tashmë lideri i mesfushës në mungesë të Modriçit.
Francezi është lojtari nga i cili varet ritmi dhe energjia e skuadrës, ndërsa Alegri pret një version më dominues të tij në javët vendimtare.
Milani po kalon një krizë të dukshme në lojë dhe rezultate, me skuadrën që ka vështirësi në krijimin e rasteve dhe mungesë intensiteti fizik.
Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia mbi Rabiot është rritur ndjeshëm.
Në mesfushë priten edhe ndryshime të tjera, pasi Ardon Jashari nuk ka bindur plotësisht si organizator loje.
Samuele Riçi shihet favorit për ta marrë atë rol ndaj Atalantës.
Kuqezinjtë kanë hyrë në fazën më delikate të sezonit dhe çdo ndeshje tashmë konsiderohet si finale në luftën për Champions League.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: