Klubi italian Venezia FC ka zyrtarizuar një zhvillim të rëndësishëm në drejtimin dhe strukturën financiare të klubit. Venezia njoftoi se ka përfunduar një investim të rëndësishëm minoritar nga një fond investimi i udhëhequr nga Tim Leiweke dhe Francesca Bodie, dy emra shumë të njohur në botën e sportit, argëtimit dhe zhvillimit imobiliar.
Ky investim është pjesë e një grumbullimi fondesh prej 100 milionë eurosh, të zhvilluar nga komiteti operativ i klubit gjatë sezonit 2025-26. Objektivi kryesor është forcimi i stabilitetit financiar të Venezias dhe rritja e ambicieve për të konkurruar në nivelet më të larta të futbollit italian dhe europian.
Leiweke është emëruar bashkëpresident i komitetit operativ së bashku me Rob Hamwee. Ai konsiderohet një nga figurat më me ndikim në sportin botëror, pasi ka drejtuar skuadra që kanë fituar tituj në Major League Soccer, National Basketball Association dhe National Hockey League. Gjithashtu, ai ka qenë pjesë e zhvillimit të disa prej komplekseve sportive dhe të argëtimit më të rëndësishme në botë.
Ndërkohë, Francesca Bodie është emëruar presidente e Venezias, duke u bërë gruaja e parë që merr këtë post në historinë e klubit. Ajo njihet për eksperiencën e saj në menaxhimin sportiv dhe në zhvillimin e markave globale sportive, si edhe për përfshirjen në projekte madhore stadiumesh dhe infrastrukturash sportive.
Sipas klubit, Leiweke dhe Bodie janë afruar te Venezia nga reperi i famshëm kanadez Drake, emri i vërtetë i të cilit është Aubrey Graham. Drake është bashkëpronar i klubit dhe më parë ka bashkëpunuar me ta tek organizata sportive Maple Leaf Sports and Entertainment, e cila zotëron skuadrat Toronto Raptors, Toronto FC dhe Toronto Maple Leafs.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: