Ertuğrul Doğan, president i Trabzonsporit ka komentuar situatën e Ernest Muçit dhe të ardhmen e tij te Trabzonspor.
Sulmuesi shqiptar u transferua në formë huazimi nga Beşiktaş-i në fillim të sezonit, ndërsa Trabzonspori ka edhe opsionin për ta blerë përfundimisht kartonin e lojtarit.
Presidenti i klubit turk zbuloi se trajneri Fatih Tekke ka dhënë një vlerësim pozitiv për Muçin, çka mund të ndikojë në vendimin final të klubit.
“Trajneri ynë ka një mendim pozitiv për të. Megjithatë, pas zhvillimeve të fundit do të shohim situatën. Sapo gjithçka të qartësohet, do të informojmë tifozët dhe opinionin publik,” deklaroi Doğan.
Sipas raportimeve nga Turqia, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e futbollistit shqiptar, ndërsa negociatat dhe vlerësimet vazhdojnë.
Drejtuesit e Trabzonsporit pritet të marrin në konsideratë aspektet financiare të marrëveshjes dhe diskutimet mes klubeve, por raporti pozitiv i stafit teknik konsiderohet një element i rëndësishëm që rrit mundësinë e qëndrimit të Muçit në skuadër edhe për sezonin e ardhshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: