Ish-futbollisti i PAS Janinës, Andi Lila, mund të rikthehet sërish pranë klubit grek, këtë herë në një rol drejtues, shkruajnë mediet greke.
Lila raportohet se është përfshirë në një projekt së bashku me një biznesmen shqiptar, i cili ka shfaqur interes konkret për të marrë në pronësi klubin e PAS Janinës.
Gazeta greke “Proinos Logos” shkruan se pala e interesuar është informuar në detaje për situatën financiare të klubit, detyrimet ekzistuese dhe ndryshimet që lidhen me kampionatin e Kategorisë së Tretë në Greqi.
Madje, sipas raportit, të hënën është zhvilluar edhe një takim mes biznesmenit shqiptar dhe sipërmarrësit nga Janina, Nikos Siontis. Në takim është diskutuar projekti i mundshëm për të ardhmen e klubit, ndërsa delegacioni ka vizituar edhe ambientet sportive të klubit.
Në këtë vizitë ka qenë i pranishëm edhe Andi Lila, i cili ka lënë gjurmë te PAS Janina gjatë periudhës 2011-2019. Ish-mbrojtësi shqiptar kaloi tetë vite me skuadrën greke dhe mbetet një figurë shumë e vlerësuar nga tifozët e klubit.
Raportimet bëjnë me dije se nga 1 korriku klubi do të kalojë nën administrimin e sektorit amator, me Giorgos Oikonomou që do të jetë përgjegjësi kryesor për negociatat e ardhshme.
Mbetet të shihet nëse iniciativa e Lilës dhe biznesmenit shqiptar do të konkretizohet, por interesi për të marrë drejtimin e PAS Janinës duket tashmë real.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: