Situata te Real Madridi është bërë e tensionuar vetëm pak ditë para “El Clásico”-s ndaj Barcelonës, pasi një video e publikuar në rrjetin social X ka ndezur reagime të forta nga tifozët kundër Kylian Mbappé-së.
Klubi madrilen publikoi një video të shkurtër nga stërvitja e mëngjesit, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen vendimtare të së dielës, e cila mund t’u japë matematikisht titullin katalanasve në LaLiga. Megjithatë, në vend që të fokusohej te përgatitjet, vëmendja u zhvendos te komentet poshtë postimit.
Shumë tifozë të Real Madridit shprehën zemërim ndaj Mbappé, i cili prej disa ditësh ndodhet në qendër të kritikave për një udhëtim në Itali gjatë periudhës së rikuperimit nga dëmtimi. Sulmuesi francez, i cili është jashtë fushave që prej 24 prillit, kishte udhëtuar drejt Cagliarit dhe më pas ishte parë edhe në Barcelonë si spektator i një ndeshjeje të rivalëve katalanas.
Ky veprim nuk është pritur mirë as nga një pjesë e tifozëve, as nga drejtuesit e klubit. Sipas raportimeve të mediave, situata është reflektuar edhe në dhomën e zhveshjes, ku Mbappé thuhet se ka marrëdhënie kryesisht me lojtarët francezë të skuadrës, duke krijuar një ndarje të lehtë brenda grupit.
Në rrjetet sociale, situata ka dalë jashtë kontrollit, me disa komente ekstreme dhe krahasime të papranueshme që kanë shtuar edhe më shumë tensionin rreth lojtarit. Disa madje e kanë potretizuar 'yllin' francez si Hitlerin.
Në një sezon ku Real Madrid rrezikon të mbetet pa trofe të mëdhenj dhe ku La Liga duket tashmë pranë Barcelonës, frustrimi i tifozëve është në rritje dhe Mbappé është kthyer në një nga objektivat kryesorë të kritikave.
Klima në Madrid mbetet e ndezur, ndërsa “El Clásico” pritet të jetë jo vetëm një ndeshje sportive, por edhe një test i rëndësishëm për stabilitetin e skuadrës në këtë moment delikat.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: