Dani Alves është rikthyer në një stadium futbolli, por këtë herë jo si lojtar. Ish-mbrojtësi brazilian ishte një nga protagonistët e eventit evangelik “The Change Madrid 2026”, i mbajtur në Atlético Madrid stadiumin “Wanda Metropolitano” në Madrid, ku mbajti një fjalim përpara rreth 35 mijë personave.
Alves, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë pas akuzave për dhunë seksuale dhe qëndroi rreth 14 muaj në paraburgim para se të lirohej në mars 2025, foli hapur për transformimin e tij shpirtëror dhe lidhjen e re me fenë evangelike.
“Kam qenë 14 muaj në burg, por pikërisht aty Krishti më bëri të lirë”, deklaroi braziliani, duke theksuar se besimi i tij fetar është bërë qendra e jetës së tij pas një periudhe që ai e cilëson si më të vështirën që ka kaluar ndonjëherë. “Kisha humbur gjithçka, por duke humbur gjithçka, gjeta Jezusin”, shtoi ai.
Sipas tij, kthesa shpirtërore ka ardhur pas një takimi që ai e përshkruan si vendimtar, në një moment të errët të jetës së tij, kur ndodhej “në mes të stuhisë”. Sot, Alves është i lidhur me komunitetin fetar Elim në Girona, ku aktivizohet si predikues.
Gjatë fjalimit të tij në Madrid, ish-futbollisti u drejtua drejtpërdrejt publikut me një mesazh motivues dhe fetar: “Nuk e di se çfarë po kaloni në jetën tuaj, por jam këtu për t’ju thënë se Krishti mund të thyejë çdo burg, çdo mur dhe çdo zinxhir. Ai mund t’ju çlirojë”.
Rikthimi i tij në një stadium, këtë herë në një rol krejtësisht të ndryshëm nga futbolli, ka tërhequr vëmendje të madhe në mediat ndërkombëtare, duke shënuar një kapitull të ri dhe të pazakontë në jetën e ish-‘yllit’ të futbollit botëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: