Fitorja e Romës ndaj Fiorentinës ka ndezur edhe më shumë garën për një vend në UEFA Champions League në Serie A. Me vetëm tri javë nga fundi, katër skuadra janë ende në luftë të hapur: Milani (67 pikë), Juventusi (65 pikë), Roma (64 pikë) dhe Como (62 pikë).
Aktualisht, pozicionin më të favorshëm e mban Milani, që renditet i treti. Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri ka nevojë për gjashtë pikë në tri ndeshjet e mbetura për të siguruar matematikisht një vend në Champions. Kuqezinjtë do të përballen me Atalantën dhe Cagliarin në shtëpi, si dhe me Genoa-n në transfertë. Në letër, kalendari duket i përballueshëm, por presioni mbetet i lartë duke parë rivalitetin e fortë.
Nga ana tjetër, Juventusi i Luciano Spalletti ndodhet në vendin e katërt, por situata nuk është aspak e qetë. Barazimi ndaj Veronës ka komplikuar objektivin dhe bardhezinjtë kanë nevojë për tetë pikë në tri ndeshjet e fundit për të qenë të sigurt për kualifikimin. Ata do të luajnë ndaj Lecce-s në transfertë, më pas presin Fiorentinën në shtëpi dhe e mbyllin sezonin me derbin ndaj Torinos.
Roma mbetet një kërcënim serioz, edhe pse ka disavantazh në përballjet direkte me Milanin dhe Juventusin. Verdhekuqtë do të përballen me Parmën, Lazion dhe sërish me Veronën, në një kalendar që mund të rezervojë surpriza.
Në prapavijë, Como vazhdon të ëndërrojë. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fàbregas ka ende shanse matematikore dhe, nëse fiton tri ndeshjet e mbetura ndaj Veronës, Parmës dhe Cremoneses, mund të arrijë në kuotën e 71 pikëve. Megjithatë, edhe kjo mund të mos mjaftojë për Champions-in, sidomos nëse konkurrenca mbetet kaq e fortë.
Tri javët e fundit pritet të jenë vendimtare dhe plot tension. Çdo pikë mund të bëjë diferencën mes lavdisë së Champions-it dhe zhgënjimit të një sezoni të dështuar. Milani dhe Juventusi kanë fatin në dorë, por Roma dhe Como janë gati të përfitojnë nga çdo hap fals.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: