Java e 37-të e Serisë B ka dhënë verdiktet e para të sezonit, me emocione deri në minutat e fundit dhe ndryshime vendimtare si në garën për promovim, ashtu edhe në atë për mbijetesë.
Venezia ka siguruar zyrtarisht rikthimin në Serie A, pavarësisht se barazoi 2-2 në transfertë ndaj Spezia-s. ‘Lagunarët’ fillimisht kaluan në avantazh dhe më pas në 2-0, por u kapën në fund nga vendasit në një ndeshje dramatike që u vendos vetëm në minutat e fundit.
Festimi i Venezia-s u bë i mundur falë humbjes së Monza-s, e cila u mposht 3-2 në transfertë ndaj Mantova, duke i dhënë fund shpresave të ‘brianzolëve’ në garën për promovim.
Shumë pranë elitës është edhe Frosinone, që mori një fitore minimale 1-0 ndaj Juve Stabia-s. Me këtë rezultat, skuadra ka nevojë vetëm për një pikë në javën e fundit për të siguruar rikthimin në Serinë A.
Në fundin e tabelës, situata është e rëndë për disa skuadra historike. Reggiana është tashmë shumë pranë rënies, ndërsa edhe Spezia dhe Pescara ndodhen në pozita të vështira për të shmangur rënien në Serie C.
Ndeshja Spezia–Venezia ishte një nga më dramatiket e sezonit: pas një avantazhi të dyfishtë për mysafirët, vendasit reaguan me gol në fund duke barazuar 2-2, por në fund festa i shkoi gjithsesi Venezias falë rezultateve të tjera në kampionat.
Me një xhiro para fundit, Serie B mbetet ende e hapur në disa fronte, por disa verdikte të mëdha tashmë kanë filluar të vulosen.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: