Çmimi i Madh i Miamit në Formula 1 mund të pezullohet këtë fundjavë, mes frikës për kushte të rënda atmosferike që mund të godasin pistën në Florida.
Pas një pauze njëmujore, sezoni i Formulës 1 rikthehet në aksion, por gara në Miami është vënë në pikëpyetje për shkak të paralajmërimeve për stuhi dhe reshje të dendura shiu.
Organizatorët e eventit në Miami Grand Prix po monitorojnë nga afër situatën meteorologjike, ndërsa ligjet në Shtetet e Bashkuara parashikojnë që aktivitetet e mëdha në ambient të hapur mund të ndërpriten në rast se ka rrezik nga shkarkimet elektrike.
Pavarësisht shqetësimeve, zyrtarët e Formulës 1 janë shprehur optimistë se gara do të zhvillohet normalisht. Sipas një burimi të brendshëm të FIA-s, janë përgatitur plane rezervë për çdo skenar të mundshëm.

FIA ka deklaruar se situata po ndiqet në kohë reale: “Po e monitorojmë nga afër parashikimin e motit për fundjavën. Duke pasur një situatë të ngjashme vitin e kaluar në Miami, kemi një plan emergjent dhe do ta aktivizojmë nëse është e nevojshme për të minimizuar ndërprerjet.”
Ndërkohë, në sfond të pasigurisë në kalendarin e garave, pista britanike Silverstone ka shprehur gatishmërinë për të ndërhyrë në rast se ndonjë garë tjetër e sezonit rrezikon të anulohet për shkak të situatave globale apo logjistike.
CEO i Silverstone, Stuart Pringle, theksoi se pista është gati të marrë përsipër organizimin e garave alternative nëse është e nevojshme.
Tensioni rreth motit në Miami shton një tjetër element pasigurie në një sezon tashmë të trazuar të Formula 1, ku çdo detaj mund të ndikojë në zhvillimin e kampionatit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: