Legjenda e Milanit, Ruud Gullit, ka komentuar formën e sulmuesit portugez, Rafael Leão, i cili këtë sezon ka marrë kritika të shumta për paraqitjet e tij të paqëndrueshme.
Në një intervistë për Sport TV, ish-‘ylli’ kuqezi u shpreh se Leao është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, por shpeshherë duket sikur nuk është plotësisht i përqendruar në fushë.
“Leao është një lojtar i madh, por ndonjëherë të jep ndjesinë sikur po lufton me ‘djajtë’ në kokën e tij. Është shumë i mirë, por ka momente kur duket sikur nuk është këtu”, u shpreh Gullit.
Sipas tij, problemi kryesor i sulmuesit lidhet me mungesën e vazhdimësisë në performancë. “Ai duhet të gjejë një mënyrë për të dhënë gjithmonë paraqitje të paktën me notë 6 ose 7. Pastaj mund të ketë edhe ndeshje të jashtëzakonshme me notë 9. Por nuk mund të kalosh nga 9 në 4. Kjo nuk është e pranueshme”, theksoi ai.
Gullit shtoi se Leao ka të gjitha aftësitë për të qenë konstant në nivele të larta, por duhet të tregojë më shumë përgjegjësi dhe krenari për talentin e tij. “Ai duhet të jetë më krenar për atë që di të bëjë. Edhe kur nuk është në formë, duhet të luajë thjesht dhe të rritet gradualisht gjatë ndeshjes”, përfundoi legjenda e Milanit.
Komentet e Gullit vijnë në një moment delikat për Leaon, i cili mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Massimiliano Allegri, por që ende kërkon stabilitet në performancat e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: