Sezoni 2025-2026 vazhdon të jetë i vështirë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, i cili nuk po arrin të gjejë vazhdimësi për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme.
Pas transferimit te Torino, Ismajli synonte të fitonte një rol të rëndësishëm në formacion, por problemet fizike e kanë penguar të tregojë plotësisht potencialin e tij.
Megjithatë, sa herë ka qenë në fushë, mbrojtësi ka treguar paraqitje solide, duke lënë sinjale pozitive për stafin teknik.
Deri në këtë pikë të sezonit në Serie A, ai ka regjistruar vetëm 24 ndeshje, një shifër që reflekton vështirësitë me dëmtimet. Fatkeqësisht, problemet fizike janë rikthyer sërish, duke e detyruar të mungojë edhe në sfidën e radhës.
Konfirmimi ka ardhur nga vetë klubi i Torinos, i cili bëri të ditur se lojtari ka pësuar një tendosje të pjesshme të bicepsit femoral në kofshën e djathtë.
Si pasojë, Ismajli do të mungojë në përballjen ndaj Udinezes.
Aktualisht nuk ka ende një afat të saktë për rikthimin e tij në fushë, ndërsa stafi mjekësor do të monitorojë nga afër gjendjen e mbrojtësit.
Një tjetër goditje për Ismajlin, në një sezon që deri tani mund të cilësohet pa dyshim si i mallkuar për të.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: