Talenti brazilian Endrick ka rrëfyer përvojën e tij te Real Madrid, duke veçuar dy figura kyçe që e kanë ndihmuar në fillimet e tij: Jude Bellingham dhe sidomos Luka Modrić.
Në një intervistë të gjatë për ‘The Guardian’, sulmuesi i ri, aktualisht i huazuar te Lyoni, foli për rrugëtimin e tij, vështirësitë dhe ambicien për të qenë pjesë e Brazilit në Botëror. Në Francë, nën drejtimin e Paulo Fonseca-s, ai ka spikatur me 7 gola dhe 7 asistime në 18 ndeshje, duke marrë përgjegjësi të mëdha në moshë shumë të re.
Duke kujtuar periudhën në Madrid, Endrick vlerësoi ndihmën e Bellingham-it: “Ai më bëri të ndihesha i mirëpritur. Nuk flisja mirë anglisht, por ai komunikonte me mua, përpiqej edhe në spanjisht dhe më jepte këshilla. Ishte shumë i rëndësishëm për mua”.
Megjithatë, ai theksoi se lojtari që e ka lënë më shumë mbresa ishte Modrić: “Ai më ka impresionuar më shumë se kushdo tjetër te Real Madridi. Ishte një mësim i vërtetë futbolli për mua”. Braziliani u habit nga përkushtimi i kroatit, i cili edhe në një moshë të avancuar vazhdonte të stërvitej çdo ditë me intensitet maksimal.
“Ai më jepte gjithmonë këshilla për lëvizjet në fushë dhe kjo më ndihmoi shumë. Është një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm që kam njohur në futboll”, përfundoi Endrick.
Deklaratat e tij konfirmojnë ndikimin e madh që lojtarë me përvojë si Modrić kanë mbi brezin e ri, duke lënë gjurmë jo vetëm me talentin, por edhe me profesionalizmin e tyre.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: