Crystal Palace ka hyrë në histori të UEFA Europa Conference League, falë një starti të jashtëzakonshëm në gjysmëfinalen ndaj Shakhtar Donetsk-ut.
Sulmuesi Ismaïla Sarr realizoi golin më të shpejtë në historinë e këtij kompeticioni, duke tundur rrjetën pas vetëm 21 sekondash lojë në ndeshjen e parë, e zhvilluar në Krakov të Polonisë. Ky realizim theu rekordin e mëparshëm të vendosur nga Ferdy Druijf, i cili kishte shënuar pas 32 sekondash në vitin 2022.
Aksioni i golit ishte një shembull perfekt i lojës kolektive të anglezëve. Pas një topi të gjatë nga mbrojtja, tresheja sulmuese e Palace Sarr-Jean-Philippe Mateta-Yeremy Pino, kombinoi me shpejtësi, përpara se Mateta të shërbente një asist të saktë për Sarr, i cili finalizoi menjëherë në rrjetë.
Ky gol konfirmon formën e shkëlqyer të sulmuesit senegalez, i cili kishte shënuar tashmë 7 gola në këtë edicion dhe me këtë realizim arriti në kuotën e 8 golave, duke u ngjitur në krye të golashënuesve të turneut.
Crystal Palace synon të sigurojë një vend në finalen që do të zhvillohet në Leipzig, më 27 maj, me objektivin për të fituar trofeun e parë europian në historinë e klubit. Një sukses i tillë do të ishte edhe një mbyllje perfekte për trajnerin Oliver Glasner, i cili pritet të largohet pas përfundimit të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: