E ardhmja e Rafael Leão-s te Milani mbetet e paqartë dhe merkatoja verore mund të sjellë zhvillime të papritura. Sulmuesi portugez po kalon një periudhë të vështirë me tifozët në “San Siro”, aq sa ditët e fundit vendosi të mbyllë përkohësisht llogarinë e tij në rrjetet sociale pas kritikave dhe fishkëllimave të përsëritura.
Në këtë situatë, ideja e një largimi nga Milano nuk përjashtohet dhe në skenë ka hyrë edhe Galatasaray. Sipas medieve turke, klubi nga Stambolli po studion mundësinë për të realizuar një transferim të bujshëm, duke ndjekur një strategji të ngjashme me atë që përdori në të kaluarën për të afruar Victor Osimhen-in.
Atëherë, Galatasaray përfitoi nga tensionet mes lojtarit dhe Napoli për të ndërtuar marrëveshjen. Në rastin e Leao-s, nuk ka një prishje të hapur me Milanin, por ekziston një pakënaqësi e dukshme që mund ta shtyjë sulmuesin të mendojë seriozisht për një ndryshim ambienti.
Klubi turk shpreson të shfrytëzojë këtë moment për të tentuar një operacion të madh në merkato, edhe pse transferimi i një lojtari me profilin e Leao-s mbetet i vështirë për shkak të kostos së lartë dhe konkurrencës nga klube të tjera europiane.
Vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e portugezit, ndërsa Galatasaray synon të realizojë një tjetër goditje të bujshme në tregun e transferimeve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: