Real Madridi e ka nisur me fitore rrugëtimin në “play-off”, duke mposhtur Hapoel Tel Aviv me rezultatin 86-82 në një përballje që rezultoi më e vështirë sesa pritej.
Ndeshja nisi në mënyrë ideale për spanjollët, që morën menjëherë kontrollin falë koshave të Facundo Campazzo, veçanërisht nga distanca.
Avantazhi në periodën e parë shkoi deri në 14 pikë, ndërsa tensioni u ndje në kampin izraelit, me trajnerin Dimitris Itoudis që u ndëshkua me faull teknik.
Dominimi i madrilenëve vazhdoi edhe në periodën e dytë, ku diferenca arriti në 20 pikë (46-26).
Në fund të pjesës së parë, Itoudis u shpreh pesimist për shanset e skuadrës së tij, duke lënë të kuptohet se rikthimi ishte i vështirë.
Megjithatë, tabloja ndryshoi në pjesën e dytë. Perioda e tretë u mbyll në barazim 22-22, ndërsa në të katërtën Hapoel Tel Aviv reagoi fuqishëm.
Një aksion i çuditshëm që solli 6 pikë – falë një faulli antisportiv, një teknik dhe një trepikëshi nga Xavier Munford Blakeney – riktheu emocionet në parket.
Në kulmin e momentit të mirë të izraelitëve, Itoudis protestoi sërish dhe u përjashtua pas faullit të dytë teknik.
Pavarësisht kësaj, skuadra e tij nuk u dorëzua dhe e ngushtoi diferencën deri në vetëm 4 pikë.
Në sekondat e fundit, Hapoeli pati dy mundësi për të barazuar me trepikësh, por nuk arriti të finalizojë.
Me 11 sekonda nga fundi, madrilenët mbrojtën në mënyrë perfekte, duke mos lejuar asnjë gjuajtje.
Në fund, Real Madridi siguron një fitore të rëndësishme, por jo të lehtë, dhe tani pret sërish Hapoelin të premten në fushën e vet për ndeshjen e dytë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: