Ferrari përgatitet të rikthehet në pistë në Çmimin e Madh të Miami-t, pas një pauze të gjatë dhe të pazakontë në mes të sezonit. Shefi i skuadrës, Frédéric Vasseur, konfirmoi se “kokëkuqja” do të paraqitet me disa përditësime të rëndësishme në aspektin aerodinamik.
“Jemi shumë të kënaqur që rikthehemi më në fund në pistë pas një pushimi kaq të gjatë, diçka e pazakontë gjatë sezonit. Në këto javë kemi punuar intensivisht në Maranelo për të analizuar të dhënat e garave të para dhe për t’u përgatitur sa më mirë për këtë fundjavë”, deklaroi Vasseur.
Ndalesa mbi një muaj në kalendarin e Formula One erdhi si pasojë e anulimit të garave në Bahrein dhe Arabinë Saudite për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme. Tani, skuadrat rikthehen në aksion në Florida, ku pritet një garë e fortë dhe me shumë të panjohura.
“Ne do të sjellim disa risi aerodinamike, por e dimë që edhe rivalët tanë do të bëjnë të njëjtën gjë”, shtoi drejtuesi francez, duke nënvizuar konkurrencën e fortë që pritet në pistë.
Vasseur theksoi rëndësinë e përqendrimit maksimal, sidomos duke pasur parasysh formatin e fundjavës së garës: “Do të jetë thelbësore të qëndrojmë të fokusuar dhe ta përballojmë fundjavën me përulësi. Kemi vetëm një seancë provash të lira, ndaj duhet të shfrytëzojmë çdo moment për të nxjerrë maksimumin”.
Objektivi i Ferrarit mbetet i qartë: të përfitojë sa më shumë nga kjo garë dhe të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm në një sezon që pritet të jetë shumë konkurrues.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: