PSG në këmbët e ‘Kvaradona’-s, shifra të frikshme për gjeorgjianin në Champions

PSG në këmbët e ‘Kvaradona’-s, shifra të frikshme për gjeorgjianin në Champions

17:19, 29/04/2026

Mbrëmja historike në Champions League nuk do të mbahet mend vetëm për spektaklin mes Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, por mbi të gjitha për protagonizmin absolut të Khvicha Kvaratskhelia-s. ‘Ylli’ gjeorgjian realizoi një ‘dopietë’ vendimtare, duke arritur shifrën simbolike të 100 golave në karrierë dhe duke konfirmuar statusin e tij si një nga lojtarët më të mirë në qarkullim.

Performancat e tij kanë bërë që tifozët ta pagëzojnë me nofkën “Kvaradona”, një krahasim i guximshëm me legjendën Diego Maradona. Edhe pse paralelizmi është i rëndë, ajo që po tregon Kvaratskhelia në fushë po bind gjithnjë e më shumë tifozët, këtë herë edhe ata parizienë.

Shifrat e tij në UEFA Champions League janë mbresëlënëse. Me ‘dopietën’ e fundit, ai ka shkuar në kuotën e 15 golave në këtë kompeticion, tre më shumë se të gjithë futbollistët gjeorgjianë së bashku në histori. Në muajt e fundit, forma e tij ka qenë e jashtëzakonshme, duke realizuar tri ‘dopieta’ në vetëm dy muaj dhe duke u renditur, së bashku me Ousmane Dembele-në, si lojtari me më shumë ndeshje me më shumë se një gol që nga muaji mars.

Veçanërisht në netët europiane, Kvaratskhelia duket i papërmbajtshëm. Në 15 paraqitjet e fundit, ai ka kontribuar në 16 gola (11 gola dhe 5 asiste), një statistikë që e vendos mes elitës së futbollit kontinental.

Rritja e tij nuk kufizohet vetëm në Champions. Në total këtë sezon, ish-lojtari i Napoli ka arritur në 30 përfshirje në gola (19 realizime dhe 11 asiste), plot 10 më shumë se në gjithë sezonin e kaluar.

Me këto ritme dhe paraqitje, “Kvaradona” po e çon PSG-në përpara dhe po shkruan emrin e tij me shkronja të arta në skenën më të madhe të futbollit europian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco