Kobbie Mainoo ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës me Manchester United, duke shpërblyer formën e tij të shkëlqyer në muajt e fundit dhe rikthimin në nivelet më të larta.
Mesfushori 21-vjeçar, produkt i akademisë së klubit, ka zhvilluar deri tani 98 ndeshje me fanellën e “Djajve të Kuq”, duke shënuar shtatë gola. Ndër më të rëndësishmit mbetet ai në finalen e FA Cup 2024, ku United mposhti rivalin e qytetit, Manchester City.
E ardhmja e Mainoo-s në “Old Trafford” dukej e pasigurt vetëm pak muaj më parë, pasi kishte humbur vendin nën drejtimin e Ruben Amorim. Madje, një huazim në verë ishte kërkuar, por nuk u realizua, ndërsa në janar largimi dukej i pashmangshëm.
Gjithçka ndryshoi me ardhjen e Michael Carrick në pankinë. Ai i dha besim të plotë mesfushorit, duke e rikthyer në formacionin titullar, ku Mainoo është kthyer në një nga lojtarët kyç të ekipit. Falë kontributit të tij, Man. United është ngjitur në vendin e tretë në Premier League dhe është pranë sigurimit të një vendi në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve, kontrata e re pritet ta mbajë Mainoo-n në klub deri në vitin 2031, ndërsa zyrtarizimi duket çështje kohe. Marrëveshja aktuale e tij skadonte verën e ardhshme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: