Situatë shqetësuese në kampin e Paris Saint-Germain dhe për përfaqësuesen e Marokut, pasi gjendja fizike e Achraf Hakimit ka ngritur pikëpyetje serioze pas gjysmëfinales spektakolare ndaj Bayern Munich në Champions League.
Mbrojtësi i djathtë luajti i dëmtuar në sfidën e parë, duke sfiduar dhimbjet për shkak të rëndësisë së ndeshjes.
Pavarësisht kësaj, ai ishte ndër më të mirët në fushë, madje dhuroi edhe asist për Ousmane Dembélé në golin që çoi rezultatin në 5-2.
Megjithatë, në fund të takimit, shqetësimet fizike u bënë të dukshme.
Trajneri Luis Enrique pranoi pas ndeshjes se situata nuk është ende e qartë: “Nuk e dimë saktësisht çfarë ka. Duhet të presim testet mjekësore për të kuptuar dëmtimin”, deklaroi ai.
Dyshimet e para flasin për një tërheqje muskulore, që në pamje të parë nuk duket shumë serioze, por mjafton për të vënë në rrezik praninë e tij në ndeshjen e kthimit në “Allianz Arena”. Një mungesë e mundshme e Hakimit do të ishte një goditje e fortë për PSG-në në një moment vendimtar të sezonit.
Ndërkohë, edhe Maroku po e ndjek nga afër situatën, pasi dëmtimi vjen në një moment delikat, vetëm pak javë përpara Botërorit.
Kujtojmë se Hakimi ka pasur edhe më parë probleme fizike në përballje ndaj Bayernit, çka e bën situatën edhe më alarmante.
Tashmë, gjithçka varet nga ekzaminimet mjekësore, ndërsa PSG dhe Maroku mbajnë frymën për një nga lojtarët e tyre më të rëndësishëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: