Tenisi botëror merr një tjetër goditje të rëndësishme, pasi Carlos Alcaraz do të mungojë edhe në turneun e Madridit për shkak të një dëmtimi në kyçin e dorës së djathtë. Pas tërheqjes nga turneu i Barcelonës, numri 2 në botë konfirmoi vetë lajmin përmes rrjeteve sociale, duke shprehur keqardhjen e madhe për mungesën në një nga turnetë më të rëndësishëm për të.
“Ka lajme që është e vështirë t’i japësh. Madridi është shtëpia ime dhe një nga vendet më të veçanta për mua. Më dhemb shumë që nuk mund të luaj këtu për të dytin vit radhazi”, shkroi spanjolli, duke publikuar edhe një foto të dorës së dëmtuar. Ai theksoi se i vjen keq sidomos që nuk do të jetë para tifozëve të tij në një turne kaq special.
Problemet për Alcaraz nisën që në Barcelonë, ku ndjeu shqetësime në kyç gjatë ndeshjes ndaj finlandezit Virtanen. Edhe pse arriti të fitonte në dy sete, ai u detyrua të tërhiqej më pas. Vetë tenisti pranoi se dëmtimi është më serioz sesa ishte parashikuar fillimisht dhe se duhet të dëgjojë trupin për të shmangur pasoja më të rënda në të ardhmen.
Mungesa e tij në Madrid ka ndikim edhe në renditjen ATP. Situata në krye mbetet e pandryshuar, duke bërë që Jannik Sinner të shkojë në turneun prestigjioz të Romës, ‘Internazionali d'Italia’, si numri 1 në botë. Ndërkohë, Alcaraz synon të rikuperohet në kohë për të mbrojtur titullin e fituar në vitin 2025 në Roland Garros.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: