Ylli i Anglisë, Jude Bellingham e ka rikujtuar humbjen në finalen e Euro 2024, duke e pranuar se ai dhe shokët e tij të skuadrës nuk arritën ta përjetonin siç duhet momentin e arritjes në finale për shkak të presionit të madh për ta fituar trofeun.
Mesfushori i Real Madridit deklaroi se pritshmëritë e larta që e shoqërojnë gjithmonë kombëtaren angleze e bënë të vështirë shijimin e rrugëtimit drejt finales, pasi fokusi ishte vetëm te fitimi i turneut.
“Nuk e vlerësuam sa duhet faktin që arritëm në finale. Kishte aq shumë presion për të fituar, sa nuk arritëm ta shijonim atë moment”, u shpreh Bellingham në prag të nisjes së aventurës së Anglisë në Kupën e Botës 2026, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas 22-vjeçarit, përvoja e fituar nga ajo finale duhet t’i ndihmojë “Tre Luanët” në Botërorin aktual.
Ai theksoi se skuadra ka mësuar shumë nga zhgënjimi i pësuar dhe se tani lojtarët janë më të përgatitur për ta menaxhuar presionin e një kompeticioni të madh.
Bellingham e vlerësoi gjithashtu atmosferën pozitive brenda grupit, duke nënvizuar se Anglia e disponon një kombinim të shkëlqyer mes lojtarëve me eksperiencë dhe talenteve të rinj që mund ta çojnë skuadrën drejt suksesit.
Kombëtarja angleze konsiderohet ndër favoritët kryesorë për triumfin në Kupën e Botës 2026 dhe do ta nisë rrugëtimin e saj më 17 qershor me përballjen ndaj Kroacisë në Grupin L.
Mesfushori anglez beson se ekipi duhet ta ruajë balancën mes ambicies për të fituar dhe aftësisë për t’i shijuar momentet e rëndësishme të turneut, në mënyrë që ta japë maksimumin në fushë dhe ta shmangë barrën psikologjike që e shoqëroi në Euro 2024.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: