Anglia mes kaosit në Kansas City: Të shtëna me armë, vjedhje dhe alarm për tornado

Anglia mes kaosit në Kansas City: Të shtëna me armë, vjedhje dhe alarm për tornado

11:16, 14/06/2026

Kombëtarja e Anglisë po përballet me një sërë problemesh jashtë fushës së blertë vetëm pak ditë para debutimit në Kupën e Botës 2026.

Kampi i “Tre Luanëve” në Kansas City është përfshirë nga një atmosferë e pazakontë pas incidenteve të sigurisë dhe kushteve ekstreme të motit.

Së fundmi, lojtarët dhe stafi anglez u detyruan të strehoheshin në ambiente të mbyllura pasi autoritetet e lëshuan një alarm emergjent për stuhi të fuqishme dhe rrezik tornadoje në zonën e Kansas Cityt.

Sipas paralajmërimeve të Shërbimit Kombëtar të Motit, erërat mund të arrinin deri në 80 milje në orë, ndërsa banorëve iu kërkua të qëndronin larg dritareve dhe të kërkonin strehim të sigurt, përcjell “Gazeta Express”.

Problemet nuk mbarojnë me motin. Vetëm pak ditë më parë, në afërsi të bazës së Anglisë ndodhi një incident me armë zjarri ku mbetën të plagosur nëntë persona.

Autoritetet sqaruan se ngjarja nuk kishte lidhje me Botërorin apo me kombëtaren angleze, por lajmi shkaktoi shqetësim të madh në prag të turneut.

Një tjetër episod i pakëndshëm ishte vjedhja e pajisjeve stërvitore të Anglisë gjatë transportit nga Florida drejt Kansas Cityt.

Mes sendeve të vjedhura raportohet se kishte këpucë të lojtarëve, topa zyrtarë të turneut dhe materiale të tjera të stafit teknik.

Policia i ka arrestuar dy persona të dyshuar dhe hetimet vazhdojnë.

Pavarësisht këtyre vështirësive, skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel mbetet e fokusuar te objektivat sportive.

Anglia do ta nisë rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026 më 17 qershor me ndeshjen ndaj Kroacisë në Grupin L, ndërsa synon t’i japë fund pritjes së gjatë për një trofe madhor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco