Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, doli në mbrojtje të talentit të ri Lamine Yamal, pas reagimit të këtij të fundit në ndeshjen e fundit ndaj Atletico Madridit në “Metropolitano”.
Yamal ishte në qendër të vëmendjes pasi nuk festoi golin e shënuar nga Robert Lewandowski dhe u largua nga fusha i zhgënjyer, pavarësisht fitores së skuadrës. Megjithatë, Flick e minimizoi situatën dhe theksoi se bëhet fjalë për një reagim normal për një lojtar të ri.
“Ai provoi gjithçka. Është vetëm 18 vjeç dhe për mua është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ndonjëherë zhgënjehet, gjë që është normale kur nuk shënon ose përballet me shumë mbrojtës. Por ai luan me emocion dhe përkushtim”, u shpreh tekniku gjerman.
Flick kërkoi që të mos harrohet mosha e lojtarit, pavarësisht pritshmërive të mëdha: “Të gjithë po e shikojnë sepse është fantastik, por duhet të kemi parasysh sa i ri është. I kam thënë se mund të bëjë gabime dhe unë do ta mbroj”.
Trajneri i Barcelonës shprehu besim të plotë në të ardhmen e Yamal-it, duke e cilësuar si një nga talentët më premtues në botë: “Është në rrugën e duhur. Po e ndihmojmë të zhvillohet në ambientin e duhur. Do të bëhet një nga më të mirët, madje ndoshta më i miri në të ardhmen”.
Në prag të përballjes së radhës në UEFA Champions League ndaj Atletico-s, Flick theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit të lojës dhe mbështetjes së tifozëve: “Duhet të luajmë sipas stilit tonë. Lidhja me tifozët është shumë e fortë dhe do të kemi nevojë për ta”.
Në fund, ai paralajmëroi për vështirësinë e sfidës ndaj skuadrës së drejtuar nga Diego Simeone: “Atletico është një ekip i fortë, me intensitet dhe lojtarë të shkëlqyer. Dinë të mbrohen shumë mirë dhe nuk është e lehtë t’u shënosh”.
Barcelona përgatitet për një test të rëndësishëm europian, ndërsa synon të rritet si skuadër dhe të menaxhojë presionin që vjen me talentet e rinj si Yamal.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: