Gara për kreun e renditjes në ATP po bëhet gjithnjë e më e zjarrtë, me Carlos Alcaraz që pranon hapur se mund të humbasë shumë shpejt vendin e parë. Pas fitores së lehtë ndaj Sebastián Báez në raundin e dytë të Monte Carlo Masters, spanjolli u shpreh realist për situatën.
“Do ta humbas numrin një në botë”, deklaroi Alcaraz, duke nënvizuar se rivali i tij kryesor, Jannik Sinner, është gjithnjë e më pranë kreut. Aktualisht, Alcaraz ka një avantazh prej rreth 1200 pikësh, por situata mund të ndryshojë shpejt, sidomos në sezonin në fushat me dhe.
Problemi kryesor për spanjollin janë pikët që duhet të mbrojë. Ai ka fituar një vit më parë turne të mëdhenj si Montekarlo, Roma dhe Roland Garros, si dhe ka arritur finalen në Barcelonë, duke grumbulluar plot 4330 pikë për t’u mbrojtur. Ndërkohë, Sinner ka shumë më pak presion, pasi mbron vetëm 1650 pikë, duke qenë se një vit më parë mungoi në këtë periudhë për shkak të pezullimit.
Italiani ka tashmë erën pas shpine pas suksesit në turnetë e mëdhenj të Indian Wells Masters dhe Miami Open, duke u afruar ndjeshëm me kreun e renditjes.
Sa i përket parakalimit, ai mund të ndodhë shumë shpejt. Sinner mund të bëhet numri një në botë që këtë javë në Montekarlo nëse fiton turneun, ose nëse arrin në finale dhe Alcaraz dështon të shkojë deri aty. Edhe një gjysmëfinale mund të mjaftojë, nëse spanjolli ndalet herët.
Nëse nuk ndodh në Montekarlo, gjithçka pritet të vendoset në turnetë e Madridit apo në Paris. Një gjë është e sigurt: beteja mes Alcaraz dhe Sinner për fronin e tenisit botëror sapo ka hyrë në fazën e saj më vendimtare.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: