Ylli në ngritje i Bayern Munich, Michael Olise, po vazhdon të mahnisë Evropën me paraqitjet e tij, ndërsa tashmë krahasohet me dy legjenda të futbollit si Arjen Robben dhe Kevin De Bruyne.
Francezi pritet të jetë protagonist në një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, përballë Real Madrid, në çerekfinalen e Champions League, që zhvillohet sonte në “Santiago Bernabéu”.
Ky duel përfaqëson një tjetër hap të madh në rritjen e shpejtë të Olise, i cili në vetëm dy sezone është kthyer në “trurin” kreativ të bavarezëve.
Para largimit të tij, legjenda e klubit Thomas Müller kishte hedhur poshtë çdo dyshim për francezin: “Michael Olise nuk është një lojtar vetëm për një sezon, por premtues”, deklaroi Müller, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e tij.
Dhe Olise po e vërteton këtë më së miri në fushë. Vetëm në Bundesligë, ai ka arritur në 18 asistime këtë sezon, duke iu afruar rekordit të Müller (21), ndërsa kontributi total në gola ka shkuar në 28 – shifra më e lartë në Evropë aktualisht.
Në krahun e djathtë, ai është bërë i pandalshëm, duke përdorur një stil loje që rikujton menjëherë Robbenin: depërtime nga krahu dhe goditje të sakta me të majtën.
Në fitoren e thellë 6-1 ndaj Atalantës, Olise tregoi pikërisht këtë arsenal, duke shënuar dy gola spektakolarë.
Trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, e krahasoi mentalitetin e tij me atë të De Bruyne: “Ajo që e bën Michael special është mentaliteti. Më kujton një Kevin De Bruyne të ri – kërkesat që ka ndaj vetes dhe preciziteti në pasin final janë në nivelin më të lartë”.
Përtej fushës, Olise mbetet një karakter më i rezervuar, por në dhomat e zhveshjes përshkruhet si energjik dhe me humor të veçantë.
Forma e tij shpërthyese ka bërë që vlera e tij në treg të arrijë në rreth 140 milionë euro, ndërsa klubi nuk duket i shqetësuar për interesimin e gjigantëve evropianë, pasi lojtari ka kontratë deri në vitin 2029.
Në prag të përballjes me Real Madridin, të gjithë sytë do të jenë te Olise – lojtari që po bashkon elegancën e Robben dhe vizionin e De Bruyne në një profil të vetëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: