Vendimet e fundit të Gjykatës Sportive në Serie A kanë sjellë ndëshkime të forta si për lojtarët, ashtu edhe për klubet, me Milani që rezulton ndër më të penalizuarit.
Rasti më i rëndë për lojtarët është ai i Youssef Maleh të Cremoneses, i cili është pezulluar për dy ndeshje. Mesfushori u ndëshkua për sjellje të parregullt ndaj një kundërshtari dhe për një episod në minutën e 49-të të pjesës së dytë, ku goditi në fytyrë një lojtar rival me topin, kur loja nuk ishte në zhvillim.
Ndërkohë, me një ndeshje pezullim janë ndëshkuar disa lojtarë të njohur të kampionatit italian, mes tyre Lewis Ferguson i Bologna-s, Albert Gudmundsson dhe Nicolò Fagioli të Fiorentinës, si dhe Weston McKennie i Juventusit.
Sa u përket klubeve, Milani është goditur me një gjobë prej 25 mijë eurosh për vonesat në nisjen e ndeshjes dhe në rifillimin e pjesës së dytë. Ky është një rast i përsëritur për kuqezinjtë, që tashmë kanë arritur në një total prej mbi 130 mijë euro gjoba vetëm për këtë problem gjatë sezonit, duke iu afruar ndjeshëm pragut prej 150 mijë eurosh.
Gjoba të tjera janë vendosur edhe për klube të tjera të kampionatit: Lecce me 10 mijë euro, Interi me 5 mijë euro, ndërsa Napoli dhe Udinese janë ndëshkuar me nga 3 mijë euro secili. Një gjobë më e lehtë, prej 1500 eurosh, i është vendosur edhe Cremoneses.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: