Përballja mes Real Madridit dhe Bayernit tët Mynihut në “Santiago Bernabéu” nuk është thjesht një çerekfinale e UEFA Champions League, por një duel historik mes dy gjigantëve të kontinentit, që shpesh është cilësuar si një “finale e parakohshme”.
Historia mes tyre është një shembull i rrallë ekuilibri absolut. Në 28 përballje zyrtare, të dyja skuadrat kanë nga 12 fitore secila, ndërsa 4 ndeshje janë mbyllur në barazim. Një bilanc që tregon qartë se çdo duel mes tyre është i paparashikueshëm dhe vendoset nga detajet.
Në epokën moderne të Champions-it, madrilenët kanë një avantazh të lehtë, ndërsa gjermanët krenohen me sukseset në Kupën e vjetër të Kampionëve. Kujtimi më i freskët mbetet gjysmëfinalja e sezonit 2023/24, ku një fitore dramatike 2-1 në Madrid u hapi rrugën “Los Blancos” drejt trofeut të 15-të europian.
Kur bëhet fjalë për protagonistët, emri i Cristiano Ronaldos qëndron mbi të gjithë, me 9 gola ndaj Bayernit, duke qenë një nga “xhelatët” më të mëdhenj të bavarezëve. Nga ana tjetër, emra legjendarë si Gerd Müller dhe Giovane Élber kanë lënë gjurmë të thella në këtë rivalitet, ndërsa edhe Karim Benzema ka kontribuar me gola të rëndësishëm.
Të dy ekipet vijnë në këtë përballje me moral të lartë. Reali eliminoi me autoritet Manchester City-t, ndërsa Bayerni shkatërroi Atalantën me një rezultat të përgjithshëm dominues.
Megjithatë, kjo sfidë në Madrid është vetëm akti i parë. Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në “Allianz Arena”, ku do të përcaktohet se cili nga këta dy kolosë do të vazhdojë rrugën drejt finales.
Kur përballen Real Madrid dhe Bayern Munich, futbolli europian arrin kulmin e tij, një përzierje historie, rivaliteti dhe spektakli të pastër.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: