Dusan Vlahovic po afrohet me hapa të mëdhenj drejt rinovimit të kontratës me Juventusin, pas katër muajsh mungesë nga fushat. Lajmi vjen pas një periudhe sfiduese, kur sulmuesi serb dukej i izoluar brenda ekipit bardhezi, për shkak të ardhjes së dy sulmuesve të tjerë, Johnathan David dhe Lois Openda, si dhe tensionit me klubin dhe tifozët.
Kontrata e Vlahovic, me 12 milionë euro në sezon, kishte ngjallur dyshime, pasi ai nuk kishte arritur të tregonte vlerën e tij në sezonin e fundit. Megjithatë, që nga shtatori i kaluar, ai ka qenë sulmuesi më i mirë i Juventusit dhe dështimet relative të David dhe Openda-s kanë lehtësuar presionin mbi të, duke i rikthyer qetësinë dhe golat. Kështu marrëdhënia mes Vlahovic-it dhe Juventusit është rindërtuar gradualisht.
Kontrata aktuale skadon në qershor 2026 dhe gjatë muajve të kaluar ai është lidhur me disa klube të mëdha, përfshirë Bayernin dhe Barcelonën, të cilat do të ishin të interesuara për ta marrë falas. Por dëmtimi i 4 dhjetorit 2025 ndryshoi perspektivat, duke ndalur pak tregun për të dhe duke rritur shanset për rinovim me Juventusin, që gjithmonë ka qenë prioriteti i sulmuesit.
Sipas burimeve, drejtuesit bardhezi janë gati të ofrojnë 7 milionë euro në vit dhe nuk përjashtohet mundësia që marrëveshja të zgjasë edhe për një ose dy sezone të tjera, për t’i dhënë mundësinë Vlahovic-it të rikthehet në nivelin e lartë.
Pas katër muajsh jashtë, Dusan është gati të kthehet në fushë. Këtë javë ai është rikthyer në stërvitje me skuadrën dhe trajneri Luciano Spalletti do ta thërrasë për sfidën ndaj Udinese-s. Spalletti nuk ka dyshime për sulmuesin nga i cili do të fillojë sezoni i ardhshëm: Dusan Vlahovic, i gatshëm për t’i rikthyer madhështinë Juventusit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: