Botërori 2026 ka dhuruar surprizën e parë të madhe. Spanja, një nga favoritët kryesorë për fitimin e trofeut, nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 ndaj debutuesve të Kepit të Gjelbër në ndeshjen e parë të Grupit H.
Iberikët dominuan zotërimin e topit dhe kontrolluan ritmin e lojës gjatë pjesës më të madhe të takimit, por u përplasën vazhdimisht me një mbrojtje të organizuar në mënyrë perfekte dhe me një Vozinha në formë të jashtëzakonshme.
Portieri 40-vjeçar ishte vendimtar me disa pritje të rëndësishme, duke mbajtur të paprekur portën e skuadrës së tij.
Rasti më i pastër për Spanjën erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Ferran Torres goditi traversën nga një distancë shumë e afërt.
Në vazhdim, Mikel Oyarzabal provoi me kokë, por sërish Vozinha reagoi në mënyrë fantastike.
Në pjesën e dytë panorama nuk ndryshoi. Skuadra e Luis De La Fuente sulmoi vazhdimisht, ndërsa Kepi i Gjelbër mbrojti me disiplinë dhe sakrificë.
Aktivizimi i Lamine Yamal solli më shumë ritëm në sulmin spanjoll, por as talenti i Barcelonës nuk arriti të zhbllokonte sfidën.
Madje, në minutat shtesë, afrikanët ishin shumë pranë një fitoreje historike.
Diney Borges kërcënoi seriozisht portën e Unai Simon me një goditje të fuqishme me kokë, por portieri spanjoll shmangu atë që do të ishte një nga befasitë më të mëdha në historinë e Botërorëve.
Për Kepin e Gjelbër ky barazim ka shijen e një fitoreje dhe konfirmon formën e shkëlqyer që skuadra kishte treguar edhe në eliminatore.
Në anën tjetër, Spanja nis me një hap fals dhe tashmë vendos në diskutim statusin e saj si një nga pretendentet kryesore për titullin botëror.
Pas këtij rezultati, Grupi H mbetet plotësisht i hapur, ndërsa Uruguai dhe Arabia Saudite do të zbresin në fushë me bindjen se gjithçka është e mundur në garën për kualifikim.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: